Angellovska dhe Tanasoski: Grant nga Koreja Jugore prej 700.000 eurove për Drejtorinë Doganore moderne digjitale

2 qershor 2020, Shkup - Me grant prej 700.000 eurove nga Qeveria e Koresë Jugore do të mbështetet ndërtimi i kapaciteteve të Drejtorisë Doganore të Maqedonisë, veçanërisht në pjesën e dërgesave të shpejta, zbulimin e rrjedhave të paligjshme financiare, si dhe analizën e rreziqeve në tregtinë elektronike. Sot është organizuar një takim për fillimin e projektit, në të cilin morën pjesë ministrja e Financave Nina Angellovska, drejtori i Drejtorisë Doganore Gjoko Tanasoski dhe delegacioni nga Drejtoria Doganore e Koresë Jugore.

Në takim u theksua se mbështetja në sferën e tregtisë elektronike ka një rëndësi të veçantë, e cila vazhdimisht rritet dhe zhvillohet në të gjithë botën, veçanërisht tani në kushtet e reja të krijuara nga kriza e koronës. Qasja e tillë ndikon drejtpërdrejt në rritjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, në lidhje me qasjen më të gjerë në tregjet e huaja duke zvogëluar pengesat hyrëse dhe duke zvogëluar shpenzimet operative. Me shkëmbimin e përvojës së Drejtorisë Doganore të Koresë Jugore në këtë sferë do të kontribuohet në krijimin e një ekuilibri ndërmjet dorëzimit të lehtësuar dhe të përshpejtuar të dërgesave, por në të njëjtën kohë edhe rritja e arkëtimit të të ardhurave buxhetore nga ky lloj i tregtisë.

Delegacioni i Maqedonisë theksoi se krijimi i doganave dixhitale është një nga përparësitë strategjike të Drejtorisë Doganore. Para një viti është vendosur në përdorim Sistemi i ri për përpunimin e deklaratave doganore dhe dokumenteve të akcizës, i cili e ka zëvendësuar sistemin e vjetër - ASIKUDA, me të cilin u ndryshua rrënjësisht mënyra e funksionimit të doganave. Ky softuer është mjet kryesor për zhvillimin e doganave dixhitale dhe mjedisit pa letër dhe mundëson përmirësim të konsiderueshëm në ofrimin e shërbimeve për pjesëmarrësit në procedurat doganore.

Dogana e Koresë Jugore është e njohur gjerësisht për përparimet e saj teknologjike dhe çmimet e shumta në fushën e arritjeve elektronike.