Angellovska dhe Bekteshi takim me sektorin e turizmit dhe hotelierisë: Ndryshimet e dekretit për mbështetjen financiare prej 14.500 për çdo të punësuar, do kthejnë të larguarit në punë dhe do të ruhen vendet e punës

30 prill 2020, Shkup - Ndryshimet në dekretin për mbështetje financiare prej 14.500 denarë për çdo të punësuar do të kontribuojnë që punëtorët që më parë ishin larguar nga puna, të kthehen në punë. Me anë të kësaj, plotësohen kërkesat e veprimtarive më të prekura, përkatësisht turizmit, hotelierisë dhe transportit. Kjo u diskutua në takimin e sotëm midis përfaqësuesve të veprimtarisë së hotelierisë dhe turizmit, ministrja e Financave dhe i Ekonomisë – Nina Angellovska dhe Kreshnik Bekteshi dhe drejtorit të Agjencisë së promovimit dhe mbështetjes së turizmit Ljupço Janevski.

Ministrja e Financave theksoi se në takimin me hotelierët u prezantuan risitë në dekretin për mbështetje financiare prej 14.500 denarë për çdo të punësuar, me ç’rast u mundëson atyre që mjetet që do të jepen përmes masës të transformohen në grant, mandej ta kombinojnë këtë masë me masën “50% e subvencioneve të kontributeve” dhe se ata duhet të ruajnë numrin e të punësuarve kur aplikojnë për  masën në krahasim me muajin mars minus 5%, 10% ose 15% në përputhje me madhësinë e kompanisë.

Në raport me kushtin për ruajtjen e numrit të të punësuarve në ditën kur do të aplikojnë në krahasim me muajin mars, Angellovska theksoi se ekziston interes nga ana e firmave që tashmë kanë larguar të punësuarit për t’i kthyer ata sërish në punë dhe tashmë po shqyrtohen mundësitë se si t’u dalin në mbështetje. Gjithashtu, theksoi se ata duhet të ruajnë numrin e përgjithshëm të të punësuarve – përkatësisht, për periudhë të pacaktuar dhe të caktuar kohore dhe punëtorë sezonalë.

– Do të gjejmë zgjidhje dhe do të shohim numrat për të parë se sa prej këtyre punëdhënësve do t’i kthejnë punëtorët sërish në vendet e tyre të punës. Nëse nuk i kthehejnë, nëse kanë numër të ulët të të punësuarve në muajin mars, ata nuk do të mund të aplikojnë për masën. Prandaj, jemi duke kërkuar mënyrë për t’i rikthyer punëtorët. Dhe mendoj se çdo ndryshim është në interes të punëtorëve sepse kujdesemi për mbrojtjen e të drejtave të tyre. Do të kujdesemi për çdo punëtor që ka humbur vendin e punës. Çdo qeveri dëshiron të ndihmojë në mbajtjen e punëtorëve, të ruhen vendet e punës. Do u mundësojmë që ata të kenë të gjitha mjetet për mbijetesë. Interesi ynë i vetëm është se duhet të qasemi në mënyrë thelbësore dhe se ky ndryshim sistematik është në interesin e punëtorëve dhe mbrojtjes së vendeve të punës - tha Angellovska dhe shtoi se kushti për ruajtjen e vendeve të punës ka të bëjë edhe për ata që janë me kohë të caktuar dhe të pacaktuar, prandaj në raport me vendet e tjera, masa të ngjashme janë më të rrepta.

Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, potencoi se komunikimi intensiv do të vazhdoj edhe më tej me sektorin e turizmit dhe hotelierisë, i cili është një nga më të prekurit në këtë krizë, para së gjithash për shkak të efektit devizor që ka ky sektor në Buxhet.

Ai theksoi se për shkak të faktit se vitet e kaluara ky sektor ka treguar rezultate të shkëlqyera, tani është e domosdoshme të punojmë së bashku në krijimin dhe plotësimin e të gjitha masave të ndërmarra deri më tani nga Qeveria, por edhe të cilat do të miratohen në periudhën e rimëkëmbjes.

– Biseduam me përfaqësuesit e sektorit të turizmit dhe hotelierisë për ndryshimet më të fundit të masave për mbështetjen e ekonomisë, me ç’rast si Qeveri ne tregojmë se e dëgjojmë zërin e biznesit dhe se jemi fleksibil. Sipas të gjitha logjikave ekonomike në situata krize, shteti duhet të veprojë në kohën e duhur dhe të jetë fleksibil sa i përket situatave. Me ndryshimet e masave, ne e dëshmojmë këtë. Në këtë drejtim, do të vazhdojmë edhe gjatë sjelljes së masave tjera, ndërsa qëllimi kryesor është t’u mundësojmë kompanive që edhe pas krizës të mund të investojnë mjete në përmirësimin e kapacitetit, si dhe promovimin e shtetit, gjë që është shumë e rëndësishme në periudhën në vijim, veçanërisht për sektorin e turizmit – theksoi Bekteshi.

Krste Bllazhevski nga shoqata e hotelierëve “Hotam”, shprehu optimizmin dhe tha se, së shpejti do të fillojnë me punë hotelet dhe restorantet.

– Do të mësohemi me një jetë të re, me disa masa të reja dhe presim që ato të miratohen sa më shpejt që të jetë e mundur. Kemi rënë dakord, ndërsa tani në vijim janë parashtresat për masat e ndihmës. Për sa i takon thashethemeve, se a ka largime nga sektori i turizmit, duhet të theksoj që të punësuarit ekzistues, të cilët kanë përvojë disa vjeçare, nuk janë të larguar nga puna, mund të bëhet fjalë për punëtorë sezonale.

Martin Angellovski, përfaqësues i sektorit të hotelierisë, tha se hotelierët do të insistojnë të përfshihen në procesin e përgaditjes së rregullave që ata do të duhet të ndjekin kur të hapen lokalet. Ai theksoi se shihet një lëvizje drejt masave të kërkuara nga Qeveria.

Drejtori i Agjencisë së promovimit dhe mbështetjes së turizmit njoftoi se do të nisë një fushatë për promovimin e turizmit në vend përmes fushatës “Shtëpia është shtëpi”, e cila do të zhvillohet gjatë gjithë vitit, në bashkëpunim me të gjitha odat, agjencitë turistike dhe operatorët turistikë në vend.

- Fushata do të dedikohet për promovimin e turizmit vendor dhe të gjitha atraksionet që kemi në vend. Në vitin 2019, 51% e numrit të përgjithshëm të akomodimeve gjatë natës u realizuan nga turistët vendor rreth 1.6 milionë turistë, kështu që do të përpiqemi që ta arrijmë të njëjtin numër edhe në vitin 2020 dhe nëse është e mundur ta tejkalojmë atë - tha Janevski.