Angellovska: DAP-i ka mbështetjen e Ministrisë së Financave për dixhitalizim intensiv

30 nëntor 2019, Shkup - Realizimi i funksioneve të shtetit, përmes mbushjes së Buxhetit është detyrim i përbashkët i Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së të Ardhurave Publike - njëra e mundëson duke e përshtatur rregulloren dhe tjetra në mënyrë operative. Përqindja e lartë e realizimit të të ardhurave buxhetore - mbi 79 përqind të tatimeve dhe mbi 81 përqind të kontributeve, duke përfshirë muajin tetor, tregon bashkëpunim të shkëlqyeshëm midis dy institucioneve, që rezulton në financa të qëndrueshme publike dhe zhvillim ekonomik, tha ministrja e Financave Nina Angellovska duke festuar 25 vjetorin e Drejtorisë së të Ardhurave Publike dhe Ditës së punonjësve tatimor Shën Mateu.

- Revolucioni modern teknologjik i bën presion Drejtorisë tatimore të bëjë ndryshime të shpejta, që të mund të përshtatet në një shoqëri smart dhe dixhitale ku edhe jemi tashmë. Ekspansioni dixhital nuk anashkalohet. Drejtoria tashmë po bën analiza të mëdha në bazë të big data. Si një person që beson se teknologjia mund të zgjidhë shumë probleme, besoj se me përsosje të mëtutjeshme, mund të bëhemi më efikas dhe efektiv. “Mundemi gjithmonë edhe më mirë” është motoja ime, me të cilën kemi rënë dakord me drejtoreshën e DAP-it dhe do punojmë në të me forcë të përbashkët - tha Angellovska.

Drejtoria e të Ardhurave Publike po dixhitalizohet intensivisht. Më shumë se 95 përqind e tatimit mbi të ardhurat personale administrohet nga paguesi, i cili e lehtëson punën e DAP-it, rrit kontrollin dhe çliron burimet. Deklarata e paraplotësuar tatimore mbi të ardhurat personale, e cila u fut me sukses këtë vit është gjithashtu e rëndësishme për sa i përket heqjes së deklaratave tatimore me letër. Efekti ekologjik, por në të njëjtën kohë edhe një lehtësim i madh për kompanitë, do të nënkuptojë edhe heqjen e paralajmëruar të vërtetimllogarisë si dokument për shfrytëzimin e të drejtës së zbritjes së TVSH-së deri në 6.000 denarë. 

- Këtu do të doja të njoftoja për një hap të mëtejshëm drejt kontabilitetit elektronik dhe kontributit në mjedisin pa letër duke futur faturë elektronike. Dhe tani ekziston mundësi ligjore për aplikimin e faturës elektronike. Ministria e Financave tashmë është duke punuar në funksionimin e kësaj risie. Kjo do të jetë një tjetër sfidë e madhe për administratën tatimore, ministrinë e Financave dhe Qeverinë. Por, kjo është një sfidë që ia vlen të përballemi - tha ministrja e Financave.

Duke theksuar se pa kapital njerëzor shumë të kualifikuar, njohuri dhe teknologji të reja, nuk mund të ketë përparim në asnjë sferë e sidomos në sferën e ndjeshme të tatimit, Angellovska tha se Drejtoria e të Ardhurave Publike e ka mbështetjen e plotë të Ministrisë së Financave në procesin e vendosjes së një klime të re të biznesit në punën e administratës tatimore e cila nënkupton punë cilësore dhe transparente dhe përgjegjësi për rezultatet. 

- Shteti duhet ta përgatisë administratën e tij tatimore për kohën që do të vijë. Nomadët dixhitalë, nëse vendosin të paguajnë tatim në Maqedoni për shkak se u konvenon ngarkesa e tyre tatimore, sigurisht që nuk do ta bëjnë këtë duke ardhur në sportel. Nga ana tjetër i keni tatimpaguesit tradicional, morali tatimor i të cilëve mund të përforcohet duke thjeshtuar dhe zvogëluar procedurat tatimore, përmirësimin e shërbimeve tatimore dhe para së gjithash duke siguruar që menaxhojmë në mënyrë efektive dhe efikase me paratë që paguajnë. Prandaj, transparenca nuk është vetëm fjalë në programin e Qeverisë, por është reflektim i vendosmërisë për t'u treguar qytetarëve dhe kompanive që nuk duam të fshehim asgjë - tha ministrja Angellovska.

Ministria e Financave mundësoi qasje publike në transaksionet e shfrytëzuesve të buxhetit me veglat për realizimin e investimeve kapitale në Buxhet dhe Platformën e financave të hapura, duke e rritur transparencën. Digjitalizimi dhe teknologjitë e reja nënkupton zhveshjen e të gjithë palëve të interesuara të sistemit fiskal, hapjenpër analiza, kritika dhe veprime konkrete nëse puna nuk është në përputhje me ligjin.

-Por, vetëm digjitalizimi dhe vendosja e teknologjisë pa vizion nuk mund të japin efekte të plota. Një shoqëri e zgjuar e shfrytëzon fuqinë dhe potencialin e teknologjisë për t'i bërë qytetarët më produktivë, të na mundësojë që të përqendrohemi në burimet tona dhe të kontribuojmë në aktivitete që janë të rëndësishme në lidhje me qëllimin përfundimtar për përmirësimin e shëndetit, mirëqenies dhe cilësisë së jetës dhe shoqërisë - tha Angellovska.

Kremtimi i këtij jubileu të Drejtorisë së të Ardhurave Publike ishte nën moton "Të ardhurat, sfidat, partnerët".