Angellovska e prezantoi Propozim buxhetin para sektorit joqeveritar, bashkësisë së biznesit, opinionit të ekspertëve dhe sindikatave: Investimet në kapitalin njerëzor në fokus të vitit 2020

11 nëntor 2019, Shkup - Në fokus të Propozim buxhetit për vitin 2020 do të jenë investimet në kapitalin njerëzor, përkatësisht në një sistem më të mirë shëndetësor, arsimor dhe social dhe mbështetje të fuqishme për rritje në sektorit real. Këtë vit investojmë pothuajse 56% të shpenzimeve të përgjithshme të buxhetit në fushat mbi të cilat mbështetet kapitali njerëzor, resprektivisht shëndetësia, arsimi dhe mbrojtja sociale. Kjo u theksua nga ministrja e Financave Nina Angellovska, në prezantimin e Propozim buxhetit për vitin 2020 para bashkësisë së biznesit, sektorit joqeveritar, sindikatave dhe opinionit të ekspertëve, që u mbajt sot në Ministrinë e Financave.

Ajo theksoi se ngjarje të tilla janë një praktikë e mirë, sepse me anë të tyre mund të dëgjojmë aspektet dhe mendimet e ekspertëve, sindikatave, sektorit të biznesit dhe sektorit joqeveritar.

- Shkaku se pse mbështetja në kapitalin njerëzor është në fokus, përkatësisht investimi tek qytetarët dhe krijimi i kushteve më të mira për jetesë është sfida me të cilën përballemi si vend: Ta ruajmë dhe përmirësojmë kapitalin tonë njerëzor. Nëse nuk investojmë në mënyrë të vazhdueshme në kapitalin njerëzor, si vend nuk do të kemi fuqi punëtore të përgaditur për vendet e punës në të ardhmen, nuk do të jemi konkurrentë me ekonominë botërore dhe nuk do të mund të ruajmë rritjen ekonomike. Jemi të vetëdijshëm se si vend, sipas indeksit të kapitalit njerëzor që e mat produktivitetin potencial të fëmijës, sipas asaj që është investuar në të përmes shëndetësisë, arsimit dhe kujdesit social, mbesim prapa në rajon. Një buxhet i mirë është ai që i adreson përparësitë dhe përparësia për rritje dhe progres të vendit është kapitali njerëzor - tha ministrja Angellovska.

Gjithashtu, theksoi se deficiti buxhetor për vitin 2020 është përcaktuar në nivel prej 2.3%, resprektivisht në nivel më të ulët nga ky vitit për të cilën është projektuar deficit prej 2.5% dhe sa i përket vitit 2018 kur deficiti ishte projektuar në 2.7%. Ky është një tregues i rëndësishëm i përcaktimit të fortë të konsolidimit fiskal, i shoqëruar me disiplinë të mëtutjeshëm të buxhetit dhe hapësirë të siguruar fiskale për mbështetjen e ekonomisë së vendit dhe qytetarëve, si dhe për projektet e infrastrukturës.

Ministrja e Financave tha se projeksionet e buxhetit janë realizuar në bazë të rritjes së parashikuar për vitin e ardhshëm prej 3.8% të BPV-së, i cili bazohet në rritjen e konsumit privat, eksportit dhe investimeve publike dhe private.

Rritja e pagës neto në vitin 2020 është projektuar në 6.3%, që bazohet në efektet e rritjes së pagës minimale, e cila do të rritet për 2000 denarë nga muaji dhjetor i këtij viti, por edhe nga rritja e pagave në sektorit privat mbështetura nga masa për subvencionimin e ndërmarrjeve private që do të rrisin pagat e punëtorëve.

Shkalla e papunësisë në tremujorin e dytë për vitin 2019 ëshë 17.5%, derisa në vitin 2020 pritet të ulet në 16.1%. Shkalla e punësisë pritet të shkojë deri në 48.2% në vitin 2020.

Propozim buxheti përgaditur nga Ministria e Financave nesër do të shqyrtohet në seancë qeveritare. Pas miratimit të tij nga ana e Qeverisë, do të dorëzohet në Kuvend.