U nënshkrua marrëveshja me BERZH prej 13 milionë euro për ndërtimin e sistemit elektronik për pagesë përgjatë Koridorit VIII

20 shtator 2019, Skopje - Për përshpejtim të transportit, qarkullim më të lehtë të automjeteve pa trafik të ngarkuar dhe sistemin elektronik për pagesë të të gjitha taksave rrugore do të sigurоhen përmes "Projektit për ndërtim dhe instalim të sistemit elektronik për pagesë të taksave rrugore përgjatë Korridorit VIII dhe autostradës Miladinovci-Shtip", për të cilin sot u nënshkruan marrëveshje për financim në Ministrinë e Financave. Marrëveshjet u nënshkruan nga ministrja e Financave Nina Angelovska, drejtori i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vend, Andi Aranitasi dhe drejtori i Ndërmarrjes publike për rrugë shtetërore (NPRRSH) Zoran Kitanov, ndërsa gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes mori pjesë edhe ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski. 

Vlera e përgjithshme e projektit është 13.7 milionë euro, nga të cilat 13 milionë euro janë siguruar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 700 mijë euro janë siguruar nga Ndërmarrja Publike për Rrugë Shtetërore nga buxheti i saj.

 - Investimi në infrastrukturë më të mirë është një ndër prioritetet kryesore të kësaj qeverie. Prioritet është edhe përmirësimi i shërbimeve të cilat i marrin qytetarët nga shteti. Për atë shkak, marrëveshjen që e nënshkruam sot me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim është me rëndësi të jashtëzakonshme për të gjithë ne. Me implementimin e kësaj marrëveshje do të sigurohet transport më i shpejtë dhe më i lehtë, pa trafik të stërngarkuar në pikë pagesa, siguri e shtuar në komunikacion, dhe vendosje e sistemit elektronik për taksa rrugore në territorin e tërë vendit, tha ministrja e Financave, Nina Angelovska.

Ajo shtoi se projekti do të përmirësojë efikasitetin e pagesës së taksave rrugore, që do të kontribuojë në rritjen e vëllimit të të ardhurave të NPRRSH-së dhe shfrytëzimin e tyre për përmirësimin e mirëmbajtjes së rrjetit rrugor në vend.

Me projektin parashihet përmirësimi dhe modernizimi i pikë pagesave ekzistuese për taksë rrugore përgjatë Korridorit VIII, si dhe ndërtimi i tre pikë pagesave të reja për taksë rrugore në akset e autostradave që janë në ndërtim e sipër – dy në autostradën Milladinovci-Shtip dhe një në autostradën Kërçovë-Ohër. Parashihet gjithashtu instalimi i pajisjes për ndërlidhje të pikë pagesave të përmirësuara dhe atyre të reja për taksë rrugore me qendrën operative për taksa rrugore në Petrovec.

Janë ndarë mjete për dizajn dhe ndërtim të korsisë shtesë për rritje të kapacitetit të pikë pagesës për takës rrugore në Milladinovci përgjatë Korridorit VIII.

Do të instalohen panele fotovoltaike diellore në të gjitha pikë pagesat ekzistuese dhe ato të reja për taksë rrugore, të cilat ndërtohen në tërë rrjetin e autostradave në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

Në kuadër të Projektit janë parashikuar gjithashtu mjete për mirëmbajtje dhe pjesë rezervë të detyrueshme për pikë pagesat ekzistuese për taksë rrugore përgjatë Korridorit VIII dhe tre pikë pagesa për taksa rrugore të akseve rrugore.

Drejtori i Zyrës së BERZH-it theksoi se Banka mbështeti shtatë projekte të infrastrukturës rrugore në vend, në vlerë prej 360 milionë euro. Ai theksoi se ky projekt në të vërtetë është faza e dytë e zbatimit të sistemit elektronik për pagesë të taksës rrugore.

- Me këtë projekt do të mbështetet shfrytëzimi i energjisë së ripërtëritshme të paneleve fotovoltaike diellore për furnizimin me energji në gjitha pikë pagesat për taksa rrugore në të gjithë vendin. Në të njëjtën kohë, ky projekt do të kontribuojë në zvogëlimin e emetimeve të gazrave të dëmshme sepse do të zvogëlojë kohën e pritjes për përdoruesit e rrugës së Korridorit VIII - tha Aranitasi, drejtor i Zyrës së Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) në vend.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Sugareski theksoi se Sistemi elektronik për pagesë është pjesë e Sistemit transportues inteligjent me të cilin do të modernizohet transporti dhe do të rritet funksionaliteti, siguria dhe parashikimi i komunikacionit në rrugë.

 - Qëllimi ynë përfundimtar është të krijojmë një sektor të harmonizuar të transportit, të integruar në sistemin e rrjetit të transportit evropian, i cili do të stimulojë zhvillimin ekonomik të vendit dhe do të përfitojnë jo vetëm qytetarët sot, por edhe gjeneratat që vijnë, tha Sugareski.

Drejtori i NPRRSH-së Kitanov theksoi se se si rezultat i këtij projektit pritet rritja e qarkullimit të automjeteve dhe rritja përkatëse e të ardhurave nga taksat rrugore. Në të njëjtën kohë, do të rritet komoditeti për përdoruesit e fundit në rrugë, mundësia për manipulim do të ulet në mënyrë të dukshme dhe do të vendoset një sistem interoperabil për pagesë elektronike me teknologji të lartë.

Kushtet nën të cilat merret kredia nga BERZH-i janë jashtëzakonisht të volitshme – norma e interesit prej EUROIBOR 6-mujor plus 1 për qind (përkatësisht për momentin 1% normë interesi) dhe afat pagese prej 15 vite e gjysmë me grejs-periudhë prej 4 viteve.