BIOGRAFIA

Nina Angelovska lindi në Shkup, Maqedoni, më 13 korrik të vitit 1988. Jeta e saj në pika të shkurta është:

Shkollimin e mesëm e mbaroi në gjimnazin “Rade Jovçevski-Korçagin”. Në vitin 2010 diplomoi në universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” – Fakulteti Ekonomik, në degën E-Biznes. Si studente më e mirë e gjeneratës dhe me sukses të arritur 9,94. Njëkohësisht fiton çmimin Maningov si studentja më e mirë në fushën e shkencave ekonomike.

Gjatë studimit Nina është e angazhuar si demonstratore në Fakultetin Ekonomik për lëndët: Matematika për biznes, Statistikë për biznes dhe ueb dizajn dhe njëkohësisht merr pjesë në shumë gara nacionale dhe ndërkombëtare. Nga garat ndërkombëtare më e rëndësishmja është Balkan Case Challenge në Vjenë, mbështetur nga WUS Austria, ku Nina fiton vendin e 3-të, ndërsa në garat nacionale më e suksesshme është në garën për biznes planin më inovativ organizuar nga Qendra Nacionale për zhvillimin e inovacioneve dhe sipërmarrjes ku fiton vendin e 1-rë, e me këtë edhe kapitalin fillestar për realizimin e biznes idesë së saj.

Karrierën profesionale e fillon me themelimin e ueb faqes së parë për zbritjet grupore në Maqedoni – gruper.mk, menjëherë pas diplomimit, me çka njohuritë e arritura i zbaton në praktikë. Gruper nxit tregun e zhvillimit të e-tregtisë në vend, arrin sukses të madh, bëhet lider i tregut dhe fiton çmime dhe mirënjohje të shumta.

Njëkohësisht Nina vazhdon arsimin në Fakultetin Ekonomik në Shkup pranë universitetit “Shën Kirili dhe Metodi” dhe në vitin 2012 merr titullin Magjistër i shkencave ekonomike në fushën e e-biznes menaxhmentit. Në vitin 2013 ajo fillon studimet e doktoraturës dhe në vitin 2016 merr titullin shkencor Doktor i shkencave për shkenca organizative dhe menaxhim pranë universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”.

Me përvojën e saj nëntë vjeçare në menaxhimin e kompanisë si udhëheqëse për e-tregti dhe rrëfimit të suksesshëm për sipërmarrje, Nina është oratore, ligjëruese dhe mentore në ngjarje të shumta, konferenca dhe akademi. Nga viti 2012 deri më sot, Angelovska ka marrë pjesë si oratore në mbi 300 ngjarje të vendit dhe internacionale, ndër të cilat Samiti i Vendeve të Ballkanit Perëndimor në Londër, Samiti i Forbs-it 30 nën 30 në Sofje, UNKTAD Java e e-tregtisë në Gjenevë dhe shumë të tjera.

Pasioni, dëshira dhe entuziazmi për punë, progres dhe ndryshime, si dhe sinergjia nga shkenca dhe puna praktike, i hapën mundësi të shumta. Nina është e angazhuar si konsultante në më tepër projekte të ndryshme, përfshirë bashkëpunimin me UNKTAD, Telekomi i Maqedonisë dhe të tjera. Në vitin 2017 ambasada e  Amerikës e nominon për Samitin Global për Sipërmarrje (Global Entrepreneurship Summit 2017) mbajtur në Indi, ku Angelovska mori pjesë si përfaqësuese e sipërmarrjes nga vendi.

Me mision për të krijuar klimë më të volitshme për rritje dhe zhvillim të industrisë nis themelimin e Asociacionit të parë për e-tregti në vend në dhjetor  të vitit 2017, të cilin Angelovska e udhëheq si kryetare. Ajo është bashkë-autore e Raportit të publikuar gjithëpërfshirës për gjendjen e e-tregtisë me titull “Përgatitje, potencial, gjendje faktike, barriera dhe rekomandime për zhvillimin e e-tregtisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, publikuar në qershor të vitit 2018.

Sipas Programit të departamentit të shtetit të SHBA-ve “Tech Innovation and Entrepreneurship Professional Fellows Program”, në periudhën prill-maj të vitit 2018, Angelovska qëndron në SHBA ku punon në Qendrën për Sipërmarrje pranë “Universitetit De Paul” në Çikago.

Potenciali i saj dhe puna e vështirë, janë të njohura ndërkombëtarisht. Në vitin 2016 revista e njohur gjermane The Hundert e numëron Algelovskën në listën e 100 femrave më të suksesshme themeluese të start-up në Evropë (100 female Founders Europe), ndërsa në vitin 2018 revista Forbes i jep çmimin prestigjioz “30 nën 30” (30 Under 30) për Evropë në kategorinë shitje me pakicë dhe e-tregti.

Nga viti 2018 Angelovska është anëtare e Bordit drejtues të Asociacionit evropian për e-tregti (EMOTA) dhe anëtare e Bordit Këshillëdhënës në Fondacionin për e-tregti (Ecommerce Foundation). Në vitin 2019 bëhet edhe anëtare e Bordit drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut.

Gjtihashtu në vitin 2019 Angelovska mori ftesë nga UNKTAD të caktohet si femër ambasadore për tregti digjitale (eTrade fo Women Advocate).