Me grant përmes projektit MSIP, kushte më mira për shkollim për 1.400 nxënës në komunën e Çairit

17 korrik 2019, Shkup - Me grant mjete përmes Projektit të përmirësimit të shërbimeve komunale - MSIP është rikonstruktuar kulmi i shkollës fillore "Rajko Zhinzifov" në komunën e Çairit, në të cilën mësojnë mbi 1.400 nxënës. Sot, këtë shkollë e vizitoi zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi dhe kryetari i komunës Visar Ganiu.

Granti është në vlerë prej 3 milionë denarë dhe po aq bashkëfinancon edhe komuna Ky grant është ndarë për komunën nga Banka Botërore nëpërmjet MSIP për shkak të realizimit të suksesshëm të tre nënprojekteve të tjera përmes projektit të njejtë, përkatësisht rinovimin e shkollës dhe dy kopshteve në këtë komunë me ç’rast sigurohen kushte më të mira për shkollim të mbi 2.000 nxënësve.

- Nxënësit e kësaj shkolle do të fillojnë vitin e ri shkollor në shkollë e cila do të ketë kulm të ri, pa blloqe nga asbesti dhe çimentoja, të cilat janë të dëmshme për shëndetin. Njëkohësisht, do të përmirësohet efikasiteti energjetik i shkollës dhe pritet që faturat e energjisë mesatarisht të zvoglohen për rreth 30% - tha zëvendësministrja e Financave Shiret Elezi.

Kryetari i komunës së Çairit, theksoi se nëpërmjet angazhimit të përbashkët do të mundësohen kushte më të mira për proces më cilësor në arsim në foletë e dijes ku përgatitet një gjeneratë e shëndoshë për të ardhmen.

 

- Duke qenë plotësisht të përkushtuar për të përmirësuar infrastrukturën e shkollave tona fillore dhe kopshteve për fëmijë, si komunë në vazhdimësi realizojmë bashkëpunime efikase me institucionet e tjera shtetërore dhe shfrytëzojmë çdo mekanizëm ligjor për të lehtësuar realizimin e shumë projekteve të ngjashme në shërbim të nxënësve dhe të gjithë qytetarëve.

Përndryshe, Projektin për përmirësimin e shërbimeve komunale - MSIP, Ministria e Financave e realizon me mbështetjen e Bankës Botërore, si dhe të Bashkimit Evropian. Vlera e përgjithshme e projektit është mbi 100 milionë euro edhe atë 80 milionë euro hua nga Banka Botërore, 15 milionë euro grant mjete nga BE-ja përmes  IPA dhe bashkëfinancim nga Buxheti prej rreth 5 milionë euro.

MSIP projekti mundëson financim të projekteve kapitale komunale si: furnizimi me ujë, kanalizimi dhe largimi i ujërave të zeza, efikasitetin e energjisë (ndriçimit të rrugëve, izolimin e objekteve komunale, etj), infrastruktura rrugore lokale (modernizimin dhe rikonstruimin e rrugëve dhe rrugicave), shërbime komunale (furnizim të automjeteve për ndërmarrjet publike komunale) si dhe shërbime dhe kompetenca tjera komunale, si ndërtimin e kopshteve për fëmijë, tregjet e gjelbërta, infrastruktura në zonën industriale.

Përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale janë mbështetur rreth 230 projekte kapitale në të gjitha komunat e vendit. Qëllimi është që të ofrohen kushte më të mira jetese për të gjithë qytetarët në vend.